BE-ja e shqetësuar për investimet kineze në Ballkan
Investimet nga Kina në disa shtete të Ballkanit Perëndimor nxisin shqetësim në Bashkimin Evropian (BE), për shkak të implikimeve politike, sociale dhe ekonomike, por edhe vendet e rajonit janë të lira që të zgjedhin partnerët e tyre.
Një mesazh të tillë e kanë përsëritur këto ditë në BE, kur janë pyetur lidhur me problemet që ka hasur Mali i Zi për shkak të një kredie të madhe që ka marr nga Kina për ndërtimin e një autostrade.
Në parim, investimet kineze për bllokun evropian nuk do të paraqisnin problem, sikur ato të ishin në përputhje me standardet evropiane, përfshirë edhe rregullat e prokurimit publik, të konkurrencës në treg si dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve. Por, shumë kredi nga Kina si dhe projekte të tjera në vendet e rajonit të Ballkanit, nga BE-ja janë parë si përpjekje e Kinës për të përhapur ndikimin e saj ekonomik dhe politik në rajon.
Shembulli më i ri i problemeve me investimet kineze është ai në Mal të Zi. Zëvendëskryeministri në Mal të Zi, Dritan Abazoviq gjatë një vizite në Bruksel, kishte kërkuar ndihmë nga BE-ja për t’ia kthyer kredinë Kinës.
Por, në BE-ja tani thonë se “janë të gatshëm të ndihmojnë me programe të ndryshme për stabilitet fiskal”, por jo edhe për të kthyer kreditë që Mali i Zi apo cilido shtet tjetër i rajonit ka marr nga ndonjë partner i tretë.
“BE-ja është e shqetësuar për efektet socio-ekonomike dhe financiare që mund të kenë investimet kineze. Ekziston rreziku nga disbalanca makro-ekonomike dhe varësia nga marrja e borxheve”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero.
Pjesa e autostradës në Mal të Zi, që është duke u ndërtuar me kredinë nga Kina, pritet të lidhë Podgoricën me Kollashinin. Projekti final i autostradës krijon lidhje mes pjesës veriore dhe jugore të këtij shteti.
Kompania kineze “CRBC” po ndërton pjesën e parë të autostradës dhe banka kineze “EXIM”, i ka dhënë një hua Malit të Zi në vlerë prej 809 milionë dollarësh, pagimi i së cilës do të fillojë në mesin e këtij viti.
Në 31 mars, ministri i Financave, Milojko Spajiç, ka konfirmuar se qeveria po negocionte një hua shtesë me bankën “EXIM”, në shumën prej 127 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, më 2020, Kina ka investuar në Mal të Zi më shumë sesa investimet e përgjithshme të bëra në dekadën e fundit. Investimet kineze më 2020 kapën vlerën prej 71.2 milionë eurosh, ndërkaq që nga viti 2010 totali i investimeve ishte 78 milionë euro.
Në BE, disa herë kanë sqaruar se gatishmëria e tyre për të ndihmuar nuk duhet të kuptohet si gatishmëri për të kthyer borxhin që ndonjë shtet ka marr.
Zëdhënësi tjetër i BE-së, Peter Stano, ka rikujtuar se si në Mal të Zi dhe në shumë shtete të tjera të rajonit, blloku evropian jo që është investuesi më i madh, por edhe donatori më i madh i ndihmës financiare si dhe partneri kryesor tregtar.
Stano ka rikujtuar se për investimet në Ballkan, përmes një programi të veçantë, BE-ja ka mobilizuar edhe nëntë miliardë euro. Ideja e këtij programi të Komisionit Evropian është që këto mjete për investime të nxisin edhe investitorë të tjerë potencialë nga Banka Evropiane për Investime, Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, por edhe investitorët privatë.
Rasti i ndërtimit të autostradës në Mal të Zi është një shembull se si investimet kineze janë të kushtëzuara. Kredi për këtë projekt ka dhënë banka kineze “EXIM”, ndërsa projektin është duke e realizuar një kompani kineze. Këtë kredi, për ndërtimin e kësaj autostrade duhet ta kthejë shteti i Malit të Zi.
Si shembull i kundërt, kur investohet me para të BE-së, por nuk kushtëzohet se kush duhet ta kthejë kredinë është projekti për ndërtimin urës mbi gadishullin Pelashac, në bregdetin e Kroacisë. Ky projekt në masë të madhe, apo 85 për qind të vlerës, financohet nga paratë e Bashkimit Evropian, që janë marrë nga fondet për projektet e infrastrukturës dhe zhvillimit rajonal.
Por, projektin për ta ndërtuar këtë urë e ka fituar një kompani nga Kina. Pavarësisht se kjo gjë kishte shkaktuar pakënaqësi në mesin e disa kompanive evropiane, Komisioni Evropian nuk kishte gjetur asnjë dëshmi se në këtë rast ishte shkelur ndonjë rregull i bllokut evropian.
Vetë Bashkimi Evropian, në fund të vitit 2020 kishte arritur një marrëveshje për investime me Kinën. Por, kjo marrëveshje hasi në kritika nga shtetet e BE-së, për shkak se dyshohet se nuk përfshin edhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kinë, gjë që mendohet se mund të bëjë që kompanitë kineze të kenë një pozitë të privilegjuar në këtë drejtim.
Në Parlamentin Evropian disa herë është shprehur shqetësimi edhe për pasojat e disa investimeve nga Kina në Serbi. Investimi në minierën e Borit ka nxitur shqetësime për mosrepsketimin e standardeve, sa i përket ruajtjes së mjedisit.
Kina ka investuar edhe në projekte të tjera infrastrukturore në Serbi, ku dyshohet se këto projekte janë kontraktuar pa shpallje publike dhe pa pasur mundësi që edhe kompanitë evropiane të konkurrojnë për këto projekte.
Së fundmi, Kina po tenton të rrisë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit edhe përmes sigurimit të vaksinave kundër sëmundjes Covid-19, që janë prodhuar në këtë shtet. Numrin më të madh të vaksinave, Kina i ka shpërndarë në Serbi, pavarësisht se numri i të vaksinuarve brenda Kinës është më i vogël sesa mesatarja në BE.
Kina po tenton që përmes nismës “Brezi dhe Rruga” të forcojë ekonominë e saj, por edhe të shtrijë ndikimin ekonomik dhe politik në vende të botës. Kjo nismë përfshin projekte prej disa miliarda dollarësh në infrastrukturë. Së fundmi, zyrtarët kinezë kanë thënë se kjo nismë do të zgjerohet edhe në horizonte të reja, siç është diplomacia mjekësore, por edhe ndryshimin e fokusit për në teknologji dhe në ndihmën e huaj.
Që nga viti 2019, BE-ja ka nisur që t’ua tërheqë vërejtjen vendeve të Ballkanit, duke thënë se qëllimi për anëtarësim në bllok “duhet të jetë zgjedhje strategjike, pa dyshim edhe me përkushtim”. Në BE po ashtu nuk është parë me simpati as rritja e ndikimit në rajon të Rusisë dhe Turqisë si edhe e disa shteteve nga Lindja e Mesme, të cilat po ashtu po tentojnë të shtrijnë ndikimin e tyre përmes projekteve të ndryshme.
Më 18 dhe 19 mars, ShBA-ja dhe Kina kanë zhvilluar bisedime të tensionuara për një varg çështjesh. Takimi është mbajtur në Alaskë dhe ka qenë i pari i nivelit të lartë prejse presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në janar.
Përkundër shqetësimeve që ka, BE-ja ka përsëritur qëndrimin se secili shtet sovran ka të drejtë të zgjedhë partnerët dhe investitorët. Por, në anën tjetër, ato shtete, nëse duan që të shënojnë përparim në procesin e integrimit drejt BE-së, duhet të respektojnë standardet e larta të bllokut, përfshirë edhe ato për projektet e mëdha infrastrukturore. /REL/