BE-ja e shqetësuar për Projektligjin për zyrtarët publikë: Komentet tona s’janë pasqyruar në amendamentet e propozuara
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal sot e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Miratimi i këtij projektligji është bërë duke i injoruar komentet e Bashkimit Evropian.
Përmes një letre dërguar tri komisioneve parlamentare, BE-ja i ka shprehur disa shqetësime me përmbajtjen e projektligjit në fjalë.
Në letrën e siguruar nga gazeta “Nacionale”, BE-ja ka vlerësuar se komentet e tyre nuk janë pasqyruar në amendamentet e propozuara.
“Sa i përket Draft-ligjit për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, më lejoni që vetëm t’ju rikujtoj që Komisionet Parlamentare përkatëse tashmë kanë pranuar një Opinion Ligjor të Konsoliduar dhe një opinion të ndarë të shërbimeve të Komisionit të BE-së për Ligjin në fuqi për Zyrtarë Publikë. Ato dokumente gjithashtu e përbëjnë bërthamën e këshillës sonë në fushën përkatëse, prandaj respektimi i atyre komenteve nga Komisioni juaj do të ishte i mirëpritur”, është thënë në letrën e nënshkruar nga shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Thomas Szyunog, e cila i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetares së Komisionit për Integrimeve Evropiane, Rezarta Krasniqi, kryetarit të Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, si dhe kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Në të njëjtën letër, e cila institucioneve në fjalë u është dërguar më 6 qershor, tregohen edhe shqetësimet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Sa i përket Draft-ligjit për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja është e shqetësuar se draft-amendamentet siç janë paraqitur në Raportin e Komisionit për Legjislacion mund të mos i plotësojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Do të doja ta ritheksoj rekomandimin tonë të fortë për ta rikonsultuar Komisionin e Venecias”, është thënë në letër.
Ndër të tjera, në letër specifikohet se asnjëra prej komisioneve nuk i kanë marrë parasysh rekomandimet e tyre për dy projektligjet.
“Pavarësisht nga këshillat dhe mbështetja e vazhdueshme që i janë ofruar qeverisë dhe komisioneve parlamentare përkatëse, Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Administratë Publike dhe Media, në të dyja draft-ligjet, me keqardhje komentet e BE-së nuk janë pasqyruar në amendamentet e propozuara”, është thënë në letër, duke kërkuar që komisionet parlamentare të përmbahet nga avancimi i mëtejmë i amendamenteve të propozuara për këto dy draft-ligje derisa ato të jenë bërë sipas këshillave të BE-së dhe standardeve të kërkuara.
Injorimi i rekomandimeve
Pavarësisht kërkesave të BE-së që të ndryshohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka vazhduar punën e tij. Komisionin në fjalë ka injoruar rekomandimet e BE-së, të shoqërisë civile dhe të opozitës.
Në mbledhjen e sotme, ky komision me votat e pushtetit ka votuar raportin me amendamentet për këtë projektligj, i cili do të procedohet për lexim të dytë në seancën plenare të Kuvendit.
Për këtë arsyeje, opozita ka paralajmëruar se këtë projektligj do ta dërgojë përsëri për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.
Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka thënë se opozitës nuk po i mbetet rrugë tjetër.
“Opinioni i SIGMA-së thekson se mandati me afat të caktuar nuk janë të zakonshme në administratat e vendeve anëtare të BE-së, dh në mënyrë artikulare ato nuk parashihen në nivelin e ulët dhe të mesëm drejtuese. Kjo reformë mund të dërgojë lehtësisht në politizimin e administratës publike deri në nivelin e udhëheqësve të njësive në nivelin e ulët drejtues. Përsëri do ta kontestojmë e do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që ky ligj nëse miratohet kësi soji shkon drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu.
“Ne jemi këtu që të ju themi që nëse ky ligj aprovohet kështu në këtë formë e dëmton zyrtarin publik edhe është në kundërshtim me disa parime që janë të njohura me zyrtarë publikë. Janë disa dispozita që e politizojnë dhe do të jenë problematike, sikurse është vlerësimi atje. Sipas meje mbete problematike çështja e ushtruesve të detyrave edhe që rreziku që prapë ku ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk po respektohet fillimi i mandatit ashtu siç është përcaktuar me ligj në rastet e udhëheqësve të niveleve të ndryshme nëse ata janë pa mandat, ligji ju jep të drejtën që në momentin që hynë në fuqi ky ligj ata ta fillojnë mandatin e rregullt. Mbeten çështje problematike që ky ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Veliu.
Në gusht të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ligji në Kushtetuese ishte dërguar nga dy partitë opozitare, LDK-ja dhe PDK-ja.