BE-ja e shqetësuar që Kuvendi s’i përfilli komentet e saj në Ligjin për Zyrtarët Publikë

23 dhjetor 2022 | 11:14

Bashkimi Evropian (BE) është shprehur i shqetësuar me disa dispozita të Ligjit të ri të Kosovës për Zyrtarët Publikë, i cili është votuar dje në seancë të Kuvendit.

“Për ta ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE në këtë fushë të reformave, BE-ja në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve të OBZhE/SIGMA, ka paraqitur në disa raste komente për projektligjin për zyrtarët publikë dhe për projektligjin për pagat”, është thënë në reagimin e BE-së

BE-ja ka thënë që këto komente kanë për qëllim që ta udhëzojnë më së miri qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional.

Ata madje kanë thënë se ndiejnë keqardhje që Kuvendi i Kosovës i ka miratuar këto dy ligje dje pavarësisht komenteve të BE-së dhe OBZhE/SIGMA, si dhe zotimeve të MSA-së.

“Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

“BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OBZhE/SIGMA, përkundër zotimeve të MSA-së në këtë fushë”.

“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që prekin reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, është thënë në këtë reagim.

Në reagim është thënë se BE-ja angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi kjo është parakusht kyç për integrimin në BE dhe me rëndësi thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës.

“BE-ja është gjithashtu partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma”, është thënë në reagimin e BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe këtë here NimiTV vjen me ofertë për fundvit për…