BE-ja, Gjermania dhe Franca kundër Ligjit për KPK-në dhe KPM-në: Opinionet tona s’u morën parasysh
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas votimit të Ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa i marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë.
Szunyogu ka thënë se Kuvendi ka humbur mundësinë për t’i pasur dy ligje të mira, atë për KPK-në dhe KPM-në, por sipas tij, kjo gjë dështoi në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe standardet evropiane”, ka shkruar Szunyogu në platformën “X”.
Më tutje, Szunyog i ka bërë thirrje Kuvendit që në Projektligjin për Zyrtarët Publikë t’i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për t’u siguruar që ligji t’i përmbushë standardet e BE-së dhe standardet evropiane, duke e adresuar komentet dhe rekomandimet e mëparshme.
Në lidhje me këto dy ligje, mbi postimin e bërë nga Szunyogu, ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se nëse qeveria do që ta përshpejtojë rrugën e Kosovës drejt BE-së, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së. BE, KiE dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar”, ka shkruar Rohde në “X”.