BE-ja i vazhdon sanksionet kundër Rusisë
13 shtator 2018
| 11:33
Bashkimi Evropian (BE) i ka vazhduar edhe për gjashtë muaj sanksionet kundër 155 individëve rusë dhe ukrainas, si dhe kundër 44 kompanive, për minimin apo kërcënimin e pavarësisë së Ukrainës.
“Vlerësimi i situatës nuk e justifikon ndryshimin e regjimit të sanksioneve”, ka bërë me dije Këshilli i BE-së në një deklaratë të lëshuar të enjten.
Sanksionet janë vendosur fillimisht në mars të vitit 2014, pas ndërhyrjes së Rusisë në lindje të Ukrainës, në mbështetje të separatistëve atje, dhe pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë. Që atëherë, ato janë ripërtërirë çdo gjashtë muaj.