BE-ja jep alarmin: Putini s’po luan bllofin për armët bërthamore!
Bashkimi Evropian për të parën herë ka shprehur hapur shqetësimin mbi kërcënimet e Vladimir Putinit se mund të përdorë armë bërthamore në konfliktin në Ukrainë.
Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë së bllokut europian, Josep Borell e pranoi për BBC se fjalët e shefit të Kremlinit duhen marrë seriozisht.
Komentet e tij erdhën pas njoftimeve se Rusia ka nisur mobilizimin e pjesshëm ushtarake dhe përpjekjet për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës.
“Ky është padyshim një moment i rrezikshëm, sepse ushtria ruse po mbërthehet në një qoshe dhe reagimi i Putinit se do të përdorë armë atomike, është dicka vërtet e keqe. Kur njerëzit thonë se nuk po luajnë me bllofin, duhen marrë seriozisht. Duhet gjetur një zgjidhje diplomatike e cila të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, në të kundërt, ne mund ta përfundojmë luftën, por nëse nuk do të ketë paqe, kemi për të pasur një luftë tjetër”, ka theksuar Borell.
Putin tha në fillim të kësaj jave se vendi i tij që disponon armë bërthamore “sigurisht do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion” nëse territori i tij kërcënohet, si dhe për të mbrojtur vendin dhe popullin e tij.
Presidenti rus është përballur së fundi me pengesa të mëdha në fushën e betejës, ku forcat e tij janë zbrapsur nga një kundërofensivë ukrainase.
Borelli bëri thirrje Putinit që të luajë edhe ai rolin e tij në arritjen e një zgjidhjeje të negociuar të situatës duke i i kujtuar se “duhen dy vetë për të kërcyer tangon”.