BE-ja ka një porosi për qeverinë e re pas largimit të Agjencisë së Akreditimit nga ENQA
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar lidhur me vendimin e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për largimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) nga ky asociacion.
Në një deklaratë të shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është thënë se me keqardhje e kanë pranuar lajmin që AKA ka dështuar në përpjekjet për të ripërtërirë anëtarësimin në ENQA.
“Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”.
“ENQA ka renditur faktorët që çuan në vendimin e tyre. Është dëshpëruese të shohësh që shumica e tyre mund të adresohen me vullnet politik të Qeverisë për t’i siguruar Agjencisë dhe Bordit të saj resurset e nevojshme”.
“Qeveria e ardhshme duhet të adresojë menjëherë të gjitha çështjet së bashku me AKA-në dhe të sigurojë që pas dy vjetësh, kur Kosova përsëri të ketë të drejtën të aplikojë për anëtarësim, Kosova të rifitojë me sukses vendin e vet në dy institucionet evropiane për cilësi në arsim të lartë. Më e rëndësishmja, Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës”.
“Ne inkurajojmë Bordin e AKA-së që të adresojë rekomandimet e ENQA-së dhe të vazhdojë përpjekjet për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë. Bashkimi Evropian gjithmonë do të jetë i gatshëm të ndihmojë këtë proces”, është thënë në deklaratën e Zyrës së BE-së.