BE-ja kërkon gjithëpërfshirje në transformimin e FSK-së
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijanciç, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se Bashkimi Evropian është i interesuar për një proces gjithpërfshirës në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës si pjesë integruese e agjendës së Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian ka bërë gjithmonë thirrje për një proces gjithëpërfshirës që çon drejt harmonizimit të legjislacionit në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke llogaritur interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë si dhe partnerëve relevantë, etnive, organizatave”, tha Kocijanciç në një përgjigje me shkrim.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.
Aleanca e NATO-s ka dhënë shenja se ka hequr dorë nga kërkesa këmbëngulëse që për çfarëdo ndryshimi të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese.