BE-ja kërkon nga Azerbajxhani dhe Armenia ta ruajnë armëpushimin

19 nëntor 2020 | 16:02

Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur përfundimin e luftimeve ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

BE-ja u ka bërë thirrje të dyja palëve, të respektojnë në mënyrë rigoroze marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga ana e Rusisë, në mënyrë që të parandalojnë pasojat në njerëz.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell përmes një deklarate të lëshuar më 19 nëntor, ka nxitur “të gjithë aktorët në rajon të përmbahen nga çdo veprim ose retorikë” që mund të rrezikojë armëpushimin.

Marrëveshja e paqes është arritur pasi forcat azerbajxhanase bën përparime të mëdha në fushën e betejës, pas gjashtë javë luftimesh, duke rifituar territorin e humbur gati tre dekada më parë.

Marrëveshja lejon Azerbajxhanin të mbajë një pjesë të konsiderueshme të rajonit malor, si dhe të pjesëve përreth.

Në bazë të marrëveshjes, rreth 2 000 paqeruajtës rusë do të vendosen në rajon për një periudhë pesë vjeçare.

“BE-ja vlerëson që duhet të ringjallen përpjekjet për një zgjidhje të negociuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të konfliktit, duke përfshirë statusin e Nagorno Karabakut”, ka thënë Borrelli.

Nagorno Karabaku, ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por shumica e popullsisë janë armenë etnikë, të cilët kanë qeverisur me këtë rajon të shkëputur, që prej se një marrëveshje paqeje, që u arrit më 1994, i dha fund luftimeve dhe largoi nga ky rajon forcat azerbajxhanase. Që kur luftimet shpërthyen në fund të shtatorit, disa mijëra njerëz besohet të jenë vrarë nga të dy palët.

Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin nga Grupi i Minskut i OSBE – i bashkëkryesuar nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, nuk kanë sjell ndonjë rezultat që nga viti 1992 dhe tre armëpushime të mëparshme të nënshkruara që kur luftimet shpërthyen përsëri më 27 shtator dështuan të sjellin rezultate.

Por, Borrelli në deklaratën e tij ofron mbështetjen e plotë për këtë grup në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes për rajonin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Florent Hadergjonaj ka shfrytëzuar rrjetet…