BE-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia të mos i politizojnë vizitat zyrtare
Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të arrijnë një marrëveshje, në kuadër të dialogut, dhe të përdorin zyrat ndërlidhëse për të aranzhuar vizitat zyrtare.
“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e normalizimit të raporteve dhe mirëkuptimit midis shteteve dhe këto vizita nuk duhet të politizohen”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, zëdhënësi i BE-së, Peters Stano.
Ky reagim i BE-së vjen pasi Policia e Serbisë ia ka ndaluar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, vizitën në Beograd.
Të enjten, më 27 tetor, Bislimi ishte nisur drejt Beogradit për të marrë pjesë në tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi.
Afër Beogradit, policia serbe, sipas Bislimit, e kishte njoftuar se nuk mund të ofrojnë siguri për delegacionin e Kosovës, rrjedhimisht “siguria e tyre ishte në rrezik”.
Sipas Stanos, Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja dhe të angazhohen në ruajtjen e paqes.
“Dy dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët dhe të zbatojnë detyrimet e tyre, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare”, ka thënë Stano.
Pas kthimit në Kosovë, Bislimi ka deklaruar se ndërprerja e vizitës së tij në Beograd nga autoritetet serbe, dëshmon se Serbia nuk është i gatshëm të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Bislimi ishte nisur drejt Beogradit në ditën e njëjtë kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
Kosova ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertojnë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas, 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa të lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit, e as të kalojnë kufirin.