BE-ja kërkon nga Kosova ta shtyjë për 10 muaj regjistrimin e veturave serbe
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar se BE-ja kërkon nga autoritete e Kosovës që ta shtyjnë për 10 muaj afatin për regjistrimit të automjeteve me targa serbe.
Ndonëse ka vlerësuar se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, Stano ka nënvizuar se është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat evropiane.
“Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano në një përgjigje me shkrim për “RTK”-në.
Kjo shtrirje, sipas tij, do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur.
Njëkohësisht, Stano ka thënë se kjo do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.
“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe, potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeopolitik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, ka porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Edhe ShBA-ja nëpërmjet emisarit për Ballkanin Perëndimor ka kërkuar që të shtyhet për 10 muaj vendimi për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.