BE-ja konfirmon se i ka ftuar Kosovën dhe Serbinë të bisedojnë për dinarin
Bashkimi Evropian (BE) konfirmoi të mërkurën se i kishte thirrur Kosovën dhe Serbinë për një takim më 27 shkurt në Bruksel, për të biseduar për çështjen e dinarit, pasi Banka Qendrore e Kosovës në fillim të këtij muaji e ndaloi përdorimin e tij për pagesa me para të gatshme, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell pati takime me presidentin [e Serbisë Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministrin [e Kosovës Albin] Kurti në Munih javën e shkuar, ku u diskutua kjo çështje. Si rrjedhojë e këtij takimi, i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak i ftoi dy palët që të vinë në Bruksel me 27 shkurt”, tha Stano, raporton Rel.
Të mërkurën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë.
“Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike”, tha Bislimi.
Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.
Stano e kritikoi deklaratën e Bislimit për Lajçakun si të “papranueshme” dhe ta se festa e të dërguarit të posaçëm të BE-së nuk specifikonte se kush prej skiles palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt.
“Zakonisht në nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve të vendosin” ka thënë Stano.
Ai tha se BE-ja po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.