BE-ja: Kosova dhe Serbia t’i ndalin menjëherë tensionet
Zëdhënësi i BE-së për politikë dhe siguri të jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka folur rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat e veturave që vijnë nga Serbia.
Ai ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët, dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.
“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.
Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes./KK/