BE-ja kundërshton tri projektligjet që pritet të miratohen nesër në Kuvendin e Kosovës: Jemi të shqetësuar
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka dalë me një reagim të gjatë lidhur me tri projektligje që pritet të votohet nesër (e enjte) në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një reagimi për medie është thënë se BE-ja me keqardhje ka vërejtur se në Ligjin për zyrtarët publikë, versionin aktual të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media dhe në Projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e bllokut.
“Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarë publikë, është shqetësues fakti se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi”
“Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil”, është thënë në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Më tutje, Zyra e BE-së ka theksuar se nëse këto ndryshime zbatohen, rrezikohet të minohet profesionalizmi dhe paanshmëria e shërbimit civil.
“Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”, është thënë në këtë reagim.
Ndërsa në lidhje me Projektligjin për KPM-në, Zyra e BE-së ka deklaruar se aty nuk pasqyrohen shumica e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës.
“Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, është thënë në reagim.
Kurse në lidhje me Projektligjin aktual për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja ka shprehur keqardhje që Kosova nuk ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
“Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”.
“Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”, është thënë në reagim e Zyrës së BE-së në Kosovë.