BE-ja mbështet Greqinë në përpjekjet për ndaljen e emigrantëve
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të martën ka shprehur mbështetje për përpjekjet e Greqisë që të ruaj kufijtë e saj, pasi mijëra emigrantë nga Turqia po tentojnë të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian (BE).
“Situata në kufirin tonë nuk është vetëm çështje e menaxhimit për Greqinë, por është përgjegjësi e Evropës në tërësi”, ka thënë ajo një konference për medie, pasi ka vizituar rajonin së bashku me liderët tjerë të BE-së dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Ata që duket se po testojnë unitetin e Evropës do të zhgënjehen. Ne do të mbajmë kursin dhe uniteti ynë do të mbizotërojë”, ka thënë ajo.
Turqia ka thënë se kufijtë e saj janë të hapur për emigrantët që duan të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian.
Një zyrtar i Qeverisë turke ka deklaruar më 27 shkurt, se Turqia nuk do të ndalojë qindra mijëra emigrantë, pas sulmeve ajrore në Idlib, ku janë vrarë 33 ushtarë turq.
Menjëherë pas këtij njoftimi, konvoje me emigrantë janë nisur drejt territorit grek, raporton “Rel”.
Policia greke ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë mijëra emigrantë që po synojnë të kalojnë në Greqi.
Mbi 3.5 milionë refugjatë nga Siria dhe vende tjera të Lindjes së Mesme ndodhën në Turqi.
Greqia, që ka qenë rruga kryesore për qindra mijëra emigrantë më 2015-2016, që dëshironin të arrinin në vendet evropiane, ka premtuar se nuk do të lejojë një fluks të ri me emigrantë.