BE-ja mbështet një proces paqeje të udhëhequr nga afganët
Bashkimi Evropian (BE) mbështet plotësisht procesin e paqes në Afganistan, ka thënë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini gjatë një vizite në Kabul.
“BE-ja mbështet një proces paqeje të udhëhequr nga afganët”, ka thënë Mogherini.
Duke folur në një konferencë për medie, së bashku me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, Mogherini deklaroi se “BE-ja gjithmonë ka qenë në anën e popullit afgan dhe nuk ka pasur ndonjë agjendë tjetër”.
Komentet e Mogherini bëhen dy javë pas rrethit të ri të negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve të zhvilluara në Katar, raporton “Rel”.
Uashingtoni përmes këtyre negociatave po synon t’i jap fund luftës 18 vjeçare në Afganistan.
Qeveria e Afganistanit, që gëzon mbështetjen e perëndimit, është lënë jashtë negociatave. Talibanët refuzojnë të bisedojnë me të pasi e konsiderojnë “kukull të Shteteve të Bashkuara”.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini ka thënë në Kabul se gjatë bisedimeve me talibanët duhet të merren në konsideratë edhe arritjet politike dhe sociale të viteve të kaluara, duke përfshirë edhe të drejtat për gratë, vajzat dhe fëmijët.