BE-ja mirëpret dakordimin mes KEDS-it dhe “Elektroseverit”, kërkon të zbatohen edhe marrëveshjet tjera
Bashkimi Evropian ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës komerciale mes Kompanisë kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS), me “Elektrosever”, kompani e sapothemeluar sipas ligjeve të Kosovës, derisa kanë kërkuar që të zbatohen edhe marrëveshjet e tjera që janë dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, thuhet në reagimin e BE-së.
Lidhja e kësaj kontrate, theksohet aty, “nënkupton që ‘Elektrosever’ do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat Veriore të Kosovës me shumicë serbe [Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut]”. “Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, shtuan.
Unioni ka lavdëruar të gjitha ata që kanë qenë të përfshirë dhe që e kanë bërë të mundur këtë marrëveshje, dhe “pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha Marrëveshjet e tjera të dialogut në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.
Fillimisht lajmin për nënshkrimin e marrëveshjes mes KEDS-it dhe “Elektroseverit”, të shtunën e dha i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale mes KEDS-it dhe ‘Elektroserverit’. Ky është hap i rëndësishëm në implementimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në platformën X.
Miroslav Lajçak
Elektrosever pronë e kompanisë energjetike të Serbisë – EPS, por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në Veri të Kosovës.
Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është dakorduar më 21 qershor 2022, shkruan AP.
Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në Veri të Kosovës, ndërsa BE-ja e kishte pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.