BE-ja ndan 70 milionë euro për vaksinat në Ballkanin Perëndimor
Komisioni Evropian ka ndarë të hënën 70 milionë euro nga instrumentet e para-anëtarësimit për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të sigurojnë vaksinat kundër koronavirusit të ri nga sasia e dozave që janë porositur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Këto mjete janë shtesë, krahas atyre që BE-ja ka ndarë për programin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përmes së cilit shumë shtete të rajonit dhe të botës do të furnizohen me vaksina.
Mjetet e ndara, në vlerë prej 70 milionë eurosh, do të përdoren për të blerë vaksinat për grupet prioritare nga gjashtë prodhues me të cilët Komisioni Evropian ka marrëveshje, por edhe për pajisjet e nevojshme në rajon për programin e vaksinimit.
Vaksinimi në shtetet e BE-së tashmë ka nisur, pasi dozat e para të vaksinës janë siguruar nga Komisioni Evropian. BE-ja ka thënë se synon që nga sasia e vaksinave, që është dedikuar për shtetet anëtare, një pjesë të ndahet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi vaksinat përmes programit COVAX, pritet të arrijnë më vonë gjatë vitit 2021.
Sipas Komisionit Evropian, vaksinat e para në rajon do të vinë nga sasia e dedikuar për shtetet anëtare të BE-së, për të mbuluar një zbrazëtinë deri tek arritja e sasive më të mëdha.
“Qasja në një sasi të dozave nga programi i porosive të BE-së do t’i mundësojë rajonit që të nisë vaksinimin paralelisht me vendet anëtare të BE-së”, është thënë në komunikatën e Komisionit Evropian.
Komisionari për zgjerim, Oliver Verhelyi e ka quajtur këtë vendim si dëshmi për partneritet të privilegjuar që BE-ja ka me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka dëshmuar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe kur është çështja te vaksinat, duke ndërmarrë hapa për të siguruar nisje të shpejtë të fushatës së vaksinimit për stafin kyç dhe grupet më të rrezikuara në rajon sa më parë që të jetë e mundur. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar për t’i dhënë fund pandemisë dhe për të nisur rimëkëmbjen socio.-ekonomike në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Verhelyi.
Kosova është pjesë e programit COVAX dhe autoritet në Prishtinë kanë thënë se presin që të sigurojnë vaksina kundër koronavirusit për 20 për qind të popullatës nga ky program.
Në rajon, është Serbia që ka nisur programin e vaksinimit me vaksinën e prodhuar nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”, pasi ditë më parë arriti dërgesa e parë e vaksinave. Serbia pret që të pranojë edhe dërgesa të reja.
Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se në komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe, ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit. Autoritetet në Prishtinën zyrtare thanë se nuk kanë qenë të informuar për këtë gjë dhe kanë nisur hetimet për të kuptuar se si këto vaksina kanë hyrë në territorin e Kosovës.