BE-ja nis samitin në Bruksel, këto janë temat e nxehta të takimit
Samiti i Bashkimit Evropian në Bruksel pritet të diskutojë tema të nxehta, të cilat janë trajtuar dhe ndjekur me vëmendje të veçantë nga të gjitha vendet.
Në axhendën dy ditore, sot dhe nesër, ky samit pritet të diskutojë për përpjekjet e Britanisë së Madhe dhe dilemat e saj për të zgjedhur largimin apo jo nga Bashkimi Evropian, operacionet ushtarake të Turqisë në verilindje të Sirisë si dhe tema e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mediat angleze shkruajnë se në takimin e krerëve të vendeve të BE-së nuk do të prezantohen dokumente ligjore për Brexit, edhe pse negociatorët britanikë dhe evropianë kanë arritur në një marrëveshje për largim. Një marrëveshje e tillë mes palëve duhet të miratohet nga legjislatura e bllokut evropian dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Bashkimi Evropian pritet që nuk do të qëndrojë duarkryq përballë veprimeve ushtarake të Turqisë mbi rajon verilindor të Sirisë, ndërsa në hapat e parë BE-ja ka ndërmarrë një veprim për të bllokuar dërgimin e armëve në Turqi.
Ekspertët thonë se nëse Britania largohet nga BE-ja, Brukseli do të përballet me rreth 15.4 miliardë dollarë më pak secilin vit. Samiti i Brukselit do të flasë përfundimisht edhe për përpjekjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave, edhe pse shpresat duket shumë të pakta. Në takimin e djeshëm me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, presidenti i Francës tha se para se këto dy vende të hapin procesin e bisedimeve duhet të vijojnë me plotësimin e reformave të kërkuara.