BE-ja nuk do të rihapë marrëveshjen për Brexitin
Presidenti i Këshillit Evropian, Dolad Tusk, ka thënë se shpreson se kryeministrja britanike, Theresa May do të shkojë të enjten në Bruksel me “sugjerime realiste” për mënyrën sesi të gjendet një rrugëdalje nga bllokada rreth Brexitit.
Tusku ka thënë se BE-ja nuk do të rihapë marrëveshjen tashmë të dakorduar të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Presidenti Tusk, në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, ka përsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian, që masa mbrojtëse në kufirin irlandez duhet të mbetet.
“Po pyesja se si duket një vend i caktuar në ferr, për ata që e promovuan Brexitin, pa patur më parë ndonjë plan për mënyrën se si ta bënin atë në mënyrë të sigurt”, ka thënë Tusku.
Ndërsa kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ka thënë se marrëveshja e Brexitit të cilën e ka hedhur poshtë parlamenti britanik ka qenë “më e mira e mundshme”.