BE-ja nuk e komenton kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KE
Bashkimi Evropian (BE) ka qenë në dijeni edhe më herët se Kosova do të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk e ka komentuar këtë hap pasi kjo organizatë nuk ka të bëjë me BE-në.
“Ne jemi në dijeni për qëllimin e shprehur të Kosovës për të kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, në njërën anë, ne nuk i komentojmë paralajmërimet dhe shprehjen e qëllimeve, e në anën tjetër nuk i komentojmë proceset e mundshme në institucionet tjera. Vetëm t’iu rikujtojmë se Bashkimi Evropian nuk është anëtar i Këshillit të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Ai ka thënë se, sa i përket BE-së, “mund të rikujtojë thirrjen që Kosova dhe Serbia të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre për të çuar para dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes tyre”.
“Ne, po ashtu, u bëjmë ftesë që të veprojnë me përmbajtje nga çfarëdo retorike dhe veprimi që mund të çojë deri te tensionet. Ne presim nga të dyja palët që të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere, e cila do të ndihmojë normalizimin e raporteve mes tyre”, ka thënë zëdhënësI i BE-së.
Ndonëse Bashkimi Evropian nuk shprehet rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shumë shtete anëtare në mënyrë jozyrtare kanë paralajmëruar se do ta mbështesin Kosovën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës sipas procedurave të fuqi.
BE-ja vazhdon të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës pasi 5 nga 27 vende të saj anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /REL