BE-ja nuk i mbyll misionet diplomatike në Ukrainë
Misionet diplomatike të BE-së në Ukrainë mbeten të hapura, thotë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Në një deklaratë të lëshuar nga BE, ai shtoi se “ata vazhdojnë të punojnë në mbështetje të qytetarëve të BE-së dhe në bashkëpunim me autoritetet ukrainase”, duke vënë në dukje se çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të marrë përgjigje, shkruan oranews.
Më konkretisht, Borrell thekson se “BE dhe shtetet e saj anëtare po bashkërendojnë veprimet e tyre përballë kërcënimeve aktuale në Ukrainë”.
Ai shton se “misionet tona diplomatike nuk mbyllen. Ata mbeten në Kiev dhe vazhdojnë të punojnë për të mbështetur qytetarët e BE-së dhe në bashkëpunim me autoritetet ukrainase.
“Prania e stafit dhe këshillat e udhëtimit për qytetarët e BE-së janë përshtatur me nevojat për të marrë parasysh kushtet e sigurisë.”
“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, dhe për përpjekjet e saj diplomatike për të de-përshkallëzuar. Ju kujtojmë se çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të ketë pasoja të mëdha dhe një çmim të rëndë në këmbim”.