BE-ja nuk sheh alternativa për dialog pa pezullimin e taksës
Bashkimi Evropian (BE) vazhdon t’u bëjë thirrje institucioneve të Kosovës që ta pezullojnë taksën doganore të vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke bërë të ditur se pa pezullimin e saj, dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, mbetet i bllokuar.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Bashkimi Evropian, së bashku me të gjitha vendet anëtare dhe Shtetet e Bashkuara Amerikës, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta pezullojnë menjëherë tarifën doganore në mënyrë që dialogu të fillojë sa më shpejt.
“Gjendja e tanishme nuk është një alternativë dhe nuk ka alternativë për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut mes dy palëve. Tarifat jo vetëm që pengojnë dialogun, por ato pengojnë edhe rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë Kocijançiqi.
Ajo ka rikujtuar edhe qëndrimin e mëhershëm të Mogherinit, sipas të cilës, ‘raundet e dialogut nuk do të ndodhin’, përderisa Prishtina të mos e pezullojë apo shfuqizojë tarifën doganore.
‘Momenti kur kushtet do të plotësohen, unë jam e gatshme ta thërras takimin e nivelit të lartë të dialogut në mëngjesin e ardhshëm’, kishte deklaruar Mogherini.
“Jam e sigurt se mund të përfitojmë nga një mjedis pozitiv, nëse e kemi atë, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Por, unë pres që të plotësohen kushtet e nevojshme dhe deri më tash nuk kam parë asnjë lëvizje që na shpie në atë drejtim”, ka cituar Kocijançiqi shefen e saj, Mogherinin.
Përderisa taksa doganore 100 për qind për importet nga Serbia mbetet në fuqi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve me autoritetet e Kosovës.
Por, në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përjashtuar mundësinë që Qeveria e tij të pezullojë apo shfuqizojë taksën, përderisa, siç ka thënë ai, Serbia të mos e njohë Kosovën si shtet.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/be-nuk-sheh-alternativa-per-dialog-pa-pezullimin-e-takses/29849958.html.