BE-ja pajtohet për rregulla më të forta ndaj gazsjellësit rus
Ambasadorët e Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’i ashpërsojnë rregulloret mbi një gazsjellës të diskutueshëm nga Rusia në Gjermani, dhe kanë vendosur që të mos mbështesin plane që mund të kërcënojnë përfundimin e tij.
Puna në gazsjellësin “Rrjedha Nordike 2”, i gjatë 1 225 kilometra dhe që kalon nën Detin Baltik është në realizim e sipër dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2019.
BE-ja do që t’i fusë gazsjellësit që hyjnë në bllok nën rregullat e saj për energjinë.
Por, Gjermania ka pasur frikë se kjo do ta bënte gazsjellësin joekonomik dhe të paarritshëm.
Raportohet se 27 nga 28 ambasadorët e BE-së janë pajtuar me propozimin që Gjermania të mbetet negociatorja kryesore në projektin “Rrjedha Nordike 2”, raporton “Rel”.
Rusia aktualisht furnizon rreth 40 për qind të BE-së me gaz.
Me vite, BE-ja ka qenë e shqetësuar për mbështetjen në gazin rus.
Polonia ka paralajmëruar se Rusia mund ta përdorë “Rrjedhën Nordike 2” për të dëmtuar sigurinë e energjisë në Evropë, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar Gjermaninë si “rob” të Rusisë për shkak të gazit të saj.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë përpjekje t’i sigurojë shtetet e Evropës qendrore dhe lindore se tubacioni nuk do ta bëjë Gjermaninë të mbështetet plotësisht te Rusia sa i përket energjisë.
“Gjermania do të zgjerojë rrjetin e terminaleve të gazit. Ne nuk duam të jemi të varur vetëm nga Rusia”, ka thënë Merkel të enjten.