BE-ja për deklaratat e Kurtit: Nuk i komentojmë akuzat e pabaza
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka cilësuar i si “akuza të pabaza” pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke theksuar se ky i fundit ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të bllokut.
Kurti më 18 shtator deklaroi në Prishtinë se gjatë takimit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – Lajçak ishte “pozicionuar” kundër Kosovës.
Kryeministri Kurti ka thënë se gjatë këtij takimi, i cili ka përfunduar pa një rezultat – dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
Kurti ka thënë se Lajçaku “ka deformuar” procesin e dialogut, duke pretenduar se ai nuk është përqendruar në zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes drejt normalizimit , por ka lejuar “që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”.
Marrëveshja që Kurti i është referuar është arritur më herët gjatë këtij viti. Ajo nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.
Stano është pyetur nga gazetarët se si mund të vazhdojë dialogu në këtë format pasi Kurti hapur ka shprehur mosbesim ndaj lehtësuesit të procesit, të cilin nuk e ka konsideruar si neutral dhe të paanshëm.
“Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë (Josep Borrell). Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre”, ka thënë ai.
Sipas Stanos, mbështetja e fundit për lehtësuesit e dialogut, Borrell dhe Lajçak, ka ardhur përmes komunikatës së lëshuar në emër të 27 shteteve të bllokut më 19 shtator.
“Kjo do të thotë se është një deklaratë e miratuar nga ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare. Dhe kjo deklaratë saktësisht nënvizon pritjet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë dhe si të ecet përpara në dialog”, ka thënë Stano, duke theksuar se në deklaratë në mënyrë “eksplicite kërkohet nga Kosova dhe Seria të ecin me zbatimin e obligimeve të tyre pa vonesa të reja”.