BE-ja po përcjell nga afër zhvillimet rreth rastit Blakaj
Bashkimi Evropian është duke ndjekur nga afër rastin e prokurorit Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje, duke e arsyetuar atë me presionet ndaj tij.
“Pavarësia dhe autonomia e gjyqësorit, duke përfshirë edhe Prokurorinë, është e rëndësisë të veçantë në këtë rast dhe duhet të mbrohet”, është thënë në deklaratën e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
BE i ka bërë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga çdo sulm ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, duke përfshirë edhe shpifjet ndaj prokurorëve ose gjyqtarëve të caktuar.
“Deklaratat e disa politikanëve dhe prokurorëve në Kosovë minojnë principet kryesore të rendit dhe ligjit. Po ashtu, dërgojnë sinjale dekurajuese te të gjithë zyrtarët e gjyqësorit që janë duke u marrë me raste të ndjeshme dhe të rëndësishme”, është thënë në këtë deklaratë.
BE-ja ka përsëritur se hetimet e mbetura pezull duhet të vazhdohen me profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe pa asnjë ndikim.