BE-ja pret që Kosova të bëj hapa konkret në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit
Bshkimi Evropian (BE) pret që Kosova ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit në përputhje me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se tani Kosova duhet të bëj veprime konkrete në zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.
“Ne mirëpresim gatishmërinë e deklaruar të Kosovës për të filluar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, kërkojmë që të përputhet deklarata me veprime konkrete dhe të fillojë ta bëjë këtë menjëherë. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre të dialogut pa ndonjë vonesë të mëtejshme apo vendosjen e parakushteve të reja në mënyrë që të bëjnë përparim në rrugën e tyre përkatëse evropiane”, ka thënë Stano për “RTV21”.
Ai ka përsëritur se moszbatimi i kësaj marrëveshje do të ndikon në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Dështimi për të zbatuar atë që është rënë dakord do të ndikojë në aftësinë e tyre për të avancuar në aspiratat e tyre evropiane. BE-ja është lehtësuesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jo palë në marrëveshje”, është shprehur Stano.