BE-ja pritet të dhurojë edhe 200 milionë vaksina për shtetet e varfra

15 shtator 2021 | 11:46

Bashkimi Evropian (BE) do t’ua dhurojë 200 milionë doza të vaksinës për Covid-19 shteteve me të ardhura të ulëta, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Sot mund të njoftoj që komisioni do të shtojë edhe një donacion prej 200 milionë dozave tjera deri në mesin e vitit të ardhshëm”, ka thënë von der Leyen në Parlamentin Evropian në fjalimin vjetor.

Ajo ka pranuar se ka pabarazi mes shteteve të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Evropës, të cilat e kanë vaksinuar shumicën e popullsisë, dhe shteteve më të varfra, të cilat po kanë vështirësi për të siguruar vaksina, shkruan “France24”.

“Me më pak se një për qind të dozave globale të dhëna në shtetet me të ardhura të ulëta, shkalla e padrejtësisë dhe niveli i urgjencës janë të qarta”, ka thënë zyrtarja e lartë e BE-së.

Von der Leyen e ka vlerësuar lart procesin e vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian, ku mbi 70 për qind e popullsisë së rritur tashmë është vaksinuar.

Sipas saj, Evropa ka bërë më shumë se secili rajon për t’i furnizuar shtetet tjera me vaksina, duke theksuar se gjysma e 1.4 miliard vaksinave të prodhuara në territorin e kontinentit tonë janë eksportuar jashtë tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se zgjedhjet në…