BE-ja: Qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë se 6 tetori ishte një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë.
Në reagimin e saj fillestar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që janë mbajtur në Kosovë, Kocijançiqi ka thënë se ishte shumë pozitiv fakti, se në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë se në vitin 2017.
Kocijançiqi ka theksuar se Qeverinë e re të Kosovës po e presin detyra të rëndësishme, duke përmendur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.
“Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kocijançiqi, raporton “Rel”.
Bashkimi Evropian ka dërguar një mision monitorimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor. Misioni do të paraqesë një vlerësim paraprak më 8 tetor dhe do të publikojë një raport përfundimtar në muajt e ardhshëm.