BE-ja reagon për emërimin e Shalës në Agjencinë për Krahasimin dhe Verifikim e Pronës
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka shprehur pakënaqësinë e saj, lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Naser Shalës, në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.
“Thellësisht e pakënaqur me vendimin e Kuvendit të Kosovës, që të injorojë krejtësisht emërimin e personave në bazë të meritave, përmes një procesi të përgjegjshëm dhe transparent. Emërimi i drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës nuk është në përputhje me praktikat dhe vlerat e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Apostolova në rrjetin social në “Twitter”.
Një ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell po ashtu kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me emërimin e Naser Shalës në Agjencinë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, duke argumentuar se Kuvendi ka zgjedhur personin që nuk ka plotësuar kriteret.