BE-ja sërish me qëndrim të njëjtë për urën e Ibrit: Do të futet në agjendën e dialogut Kosovë – Serbi

13 gusht 2024 | 14:05

Bashkimi Evropian (BE) do ta fusë çështjen e urës së Ibrit në agjendën e bisedimeve të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali. “BE-ja planifikon të vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”, ka thënë Massrali për “RTV21”.

Edhe më herët, përfaqësues të BE-së janë deklaruan kundër hapjes së urës së Ibrit për qarkullim për automjete. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ditë më parë kishte thënë se miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian dhe Quint-i), kishin shkuar te kryeministri Albin Kurti për t’i thënë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën”.

“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim. Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”,  kishte thënë Stano.

Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca i dha lamtumirën të hënën Lojërave Olimpike, pas dy…