BE-ja shmang sanksionet ndaj Iranit

31 mars 2020 | 14:49

Europa ka testuar një mekanizëm të ri shkëmbimesh tregtare me Iranin, që lejon vendet europiane të evitojnë sanksionet amerikane pas tërheqjes nga marrëveshja e 2015-ës për çarmatimin bërthamor.

Tre firmëtaret e marrëveshjes, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe njoftuan të martën se me sistemin e ri është arritur t’i shkohet në ndihmë vendit me furnizime mjekësore në këtë periudhë pandemie.

“Këto mallra ndodhen tani në Iran. INSTEX synon të japë një zgjidhje të vazhdueshme, afatgjatë për tregtinë e ligjshme mes Europës dhe Iranit, në përpjekjen për ta shpëtuar planin antiatomik me Iranin,”informoi Ministria e Jashtme gjermane.

Autoritetet iraniane kanë theksuar se sanksionet që Amerika zbaton prej dy vitesh ndaj vendit e kanë vështirësuar gjendjen ekonomike por edhe betejën me një emergjencë globale si koronavirusi.

Sanksionet prekin edhe mjetet mbrojtëse si dezinfektuesit dhe maskat për popullsinë.

Irani është vendi më i prekur në Lindjen e Mesme, me gati 45 mijë raste infeksioni dhe 2,900 të vdekur.

Udhëtimi ndërqytetës është anuluar nga e enjtja e kaluar ndërsa qeveria ka shtyrë afatin e mbylljes së universiteteve, shkollave dhe ka pezulluar çdo aktivitetet kulturor, fetar e sportiv.

Nga vendet fqinje, Iraku raporton mbi 600 raste me Covid-19 dhe 46 viktima, por numri në rritje i tyre ka bërë që autoritetet të hapin një varrezë të posaçme.

“Varreza është hapur me udhëzimin e institucioneve fetare dhe varrimi bëhet në përputhje me ritet,” tregon një punëtor vullnetar.

Ndërkohë në Arabinë Saudite, mbreti Salman ka ofruar trajtimin financiar për çdo të infektuar me koronavirus, teksa rastet pozitive po arrijnë në 1,500.

Shumica e vendeve arabe po aplikojnë rregullin e ndalimqarkullimit, ndërsa në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe qendrat e testimit të drejtuesve të automjeteve, sterilizimi i hapësirave publike dhe mbyllja e qyteteve nga ora 20 deri në orën 6 të mëngjesit pritet të ndihmojnë mospërhapjen e virusit.

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igli Tare ka thënë se ky sezon i Serie A-s…