BE-ja shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk shfrytëzoi të drejtën për pjesëmarrje në zgjedhje
Bashkimi Evropian ka thënë se ndjen keqardhje që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.
Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Atëbotë, për zgjedhjet në veri kanë aplikuar 11 kandidatë, të cilëve u ka vlejtur certifikimi edhe për zgjedhjet e prillit.
“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore, raporton REL.
Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur dhe vendet e grupit Quint – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.
Përgjatë përgatitjeve për zgjedhje në dhjetor, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar disa incidente, siç është pengimi i hapjes së zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Sipas njohësve të çështjeve politike, mosaplikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë në këto zgjedhje, e rrezikon mbarëvajtjen e gjithë procesit.