BE-ja shpreson se ngjarjet në veri nuk do të ndikojnë në takimin Bislimi – Petkoviq

03 prill 2023 | 14:36

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog, dhe thotë se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilët do të takohen të martën në Bruksel.

Kështu tha të hënën gjatë një konference për medie zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë zyrtarët evropianë, raporton Rel.

Stano tha se presin nga të dyja palët “që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete”, dhe shtoi se “palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ”.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pranuan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Stano e quajti takimin e nesërm si “shumë të rëndësishëm”, ngase siç tha ‘palët do të mblidhen për herë të parë që nga marrëveshja e Ohrit dhe do të diskutojnë pikërisht për hapat e nevojshëm për implementimin e obligimeve që dalin nga ajo marrëveshje dhe nga aneksi i saj”.

Ai tha se marrëveshjet e arritura kishin për qëllim pikërisht largimin nga faza e krizave. Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit.

Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të hënën takim…