BE-ja shqyrton mundësinë e trajnimit të forcave ukrainase

22 gusht 2022 | 16:21

Bashkimi Evropian (BE) do të diskutojë për nisjen e një programi të madh trajnues për forcat ukrainase në shtetet fqinje, ka thënë shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell.

Duke folur në një konferencë për media më 22 gusht në Santander të Spanjës, Borrelli, ka thënë se për këtë temë do të diskutohet javën e ardhshme gjatë takimit në Pragë të ministrave të Mbrojtjes së BE-së. “Natyrisht se do të ishte një mision i madh”, ka thënë ai, duke shtuar se “çdo mision duhet të jetë i përgatitur” për të trajnuar forcat ukrainase për luftë.

Informacionet e inteligjencës dhe pajisjet ushtarake të ofruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore kanë ndihmuar forcat ukrainase që të ngadalësojnë – por jo të ndalin – përparimin e forcave ruse në lindje të Ukrainës dhe përgjatë brigjeve të Detit të Zi. “Duket e arsyeshme, duke pasur parasysh se lufta po zgjat, që duhet një përpjekje tjetër përveç ndihmës me materiale. Për këtë po diskutohet midis shteteve anëtare dhe do të bisedohet për këtë temë edhe në nivelin politik javën e ardhshme”, ka thënë Borrelli.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ShBA-ja dhe shtetet e tjera, përfshirë edhe ato evropiane, i kanë ofruar ndihmë ushtarake forcave ukrainase.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia nuk mundi që të siguronte një biletë për në…