BE-ja shton në listën e sanksioneve edhe gjashtë kompani ruse
Bashkimi Evropian (BE) ka shtuar në listën e sanksioneve edhe gjashtë kompani ruse, të përfshira në ndërtimin e urës Kerç që lidh Rusinë jugore me Gadishullin e Krimesë.
Vendimi, i marrë nga ambasadorët e BE-së ditë më parë, është botuar të martën në Gazetën Zyrtare të kësaj organizate.
Në total, BE-ja i ka ngrirë asetet e 44 entiteteve nga Rusia dhe Ukraina, prejse Moska ka aneksuar rajonin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe ka nisur mbështetjen për separatistët në lindje të Ukrainës.
Përveç tyre, edhe 155 individë nga të dyja vendet janë subjekt i masave kufizuese të BE-së.
Tri nga kompanitë e përfshira së fundi në listën e sanksioneve të BE-së: “Mostotest”, “Stroygazmontazh” dhe “Stroygazmontazh Most” janë në pronësi të Arkady Rotenberg, biznesmen i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Rotenberg është i përfshirë edhe në listën e individëve të sanksionuar nga BE-ja.
Sipas bllokut, ndërtimi i urës Kerç nga Rusia, 19 kilometra e gjatë, ka kontribuar në destabilizimin e integritetit territorial të Ukrainës. (Rel)