BE-ja shtyn bisedimet me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

01 dhjetor 2020 | 14:11

Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) nuk kanë rënë dakord për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në dhjetor.

Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm (Coreper) ka rënë dakord në konkluzionet e tyre se Shqipëria nuk është akoma e gatshme të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga marsi 2020, njofton “Euronews”.

Ambasadorët kanë vlerësuar punën e Shqipërisë mbi reformat, por kanë theksuar se vendi ynë duhet të tregojë më shumë përparim në përmbushjen e kushteve.

Lidhur me Maqedoninë e Veriut, është theksuar se data për konferencën e parë do të caktohet sapo vendi të zgjidhë çështjet e tij me Bullgarinë.

Kujtojmë se Bullgaria ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Ajo pretendon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari.

Të dy deklaratat kërkohet të përfshihen në dokumentin përfundimtar që lejon fillimin e bisedimeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deri më tani ka refuzuar të heqë dorë nga kërkesat.

Italia është thënë se është përpjekur ta zbuste “gjuhën” e konkluzioneve për Shqipërinë, por kërkesa është refuzuar.

Drafti i konkluzioneve të arritura sot nga ambasadorët e BE do të miratohet nga Këshilli i çështjeve të përgjithshme, i përbërë nga ministra të punëve të jashtme dhe evropiane të vendeve anëtare të BE, në 8 dhjetor.

Fillimi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të miratohet në mars 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e martë) do zhvillohet ndeshja interesante mes Atletico Madridit…