BE-ja sot fillon t’i shqyrtojë masat kundër Kosovës dhe Serbisë

27 qershor 2023 | 13:29

Bashkimi Evropian sot (e martë) t do të nisë t’i shqyrtojë masat e mundshme në rast se nuk përfillen kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri.

Shtetet anëtare tani duan zgjedhje të reja, dhe nëse ato shpallen dhe mbahen me pjesëmarrjen pa kushte të serbëve, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se “nuk do të kemi nevojë të marrim masa”.

Komisioni për Politikë dhe Siguri do të shqyrtojë nga sot se çfarë veprime mund të merren në rast se Kosova dhe Serbia nuk i pranojnë kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka njoftuar dje, pas një diskutimi të gjatë me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të bllokut evropian.

“Nga nesër, Komisioni për Politikë dhe Siguri do të fillojë të shqyrtojë se çfarë veprimesh mund të ndërmerren në rast se, në fund, nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Borrelli të hënën.

Borrelli ka shtuar se masat do të jenë “politike dhe ekonomike”.

Borrelli ka thënë se me ministrat janë pajtuar që në veri duhet të mbahen zgjedhjet e reja, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve.

“Shtetet anëtare, dua ta theksoj, shtetet anëtare nënvizojnë shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës”, ka thënë Borrelli.

Siç ka theksuar kryediplomati evropian, “shtetet anëtare mbeten të gatshme të marrin masa nëse nuk shihet përparim”.

Ai ka thënë se s’do të ketë nevojë të merren masa, në rast se arrihet të shpallen zgjedhjet e reja në veri.

“Fatkeqësisht, nuk mund t’ju përgjigjem sepse kjo është puna që – siç thashë më parë – duhet të bëjë Komisioni për Politikë dhe Sigurisë. Komisioni do ta fillojë punën për këtë temë”, ka thënë Borrelli kur i është kërkuar të ishte më i saktë se për çfarë masash bëhet fjalë dhe nëse masat do të jenë si për Kosovën, si për Serbinë.

“Është e qartë se masat do të jenë, siç thashë, politike dhe financiare, por duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme. Dhe kjo varet nga çfarë vendosin shtetet anëtare. Janë shtetet anëtare që do t’i marrin ato në varësi të ngjarjeve. Nëse arrijmë t’i shpallim zgjedhjet dhe bëhen këto zgjedhje dhe popullata merr pjesë dhe ne mund t’i legjitimojmë kryetarët e komunave, nuk do të kemi nevojë të marrim masa”,  ka thënë Borrelli.

Zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit, është kërkesa e BE-së për Kurtin, të cilën e mbështet edhe ShBA-ja.

Ndonëse pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Kurti nuk pajtohet me kërkesat tjera të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës.

Kurti ua ka paraqitur atyre kërkesat e veta, të cilat ia ka dërguar edhe kreydiplomatit evropian, Josep Borrell, nga i cili mori përgjigje negative.

BE-ja dhe ShBA-ja e shohin përgjegjës Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë.

Për këtë çështje është thënë se kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Uashingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para tri javësh u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe gjysmë milioni euro kanë përfituar gjashtë komunat nga projekti…