BE-ja s’pajtohet me Ligjin për zyrtarët publikë, Kurti: Ka pasur politizim në administratë publike

21 shkurt 2023 | 12:07

Reforma në administratë publike është një prej objektivave kyçe në programin e Qeverisë të Kosovës, porse ka politizim në proceset e rekrutimit dhe mungesë të meritokracisë.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencën vjetore “Par Progresi Kosovë 2023”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Ndërsa shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se nuk pajtohen me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur ta shqyrtojë Ligjin për zyrtarët publikë.

Në këtë kontekst, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se administrata publike efikase është parakusht thelbësor i zhvillimit, duke shtuar se kjo është edhe një nga objektivat kyçe të qeverisë.

“Reforma në administratë publike është një prej objektivave kyçe në programin e qeverisë sonë. Në ndërlidhje mes shtetit, qytetarëve dhe sektorit privat, jetësohet roli i administratës publike. Po ashtu, shpërfaqet nevoja që ndërveprimi midis këtyre akterëve të jetë parimor. Republika e Kosovës qartëzi e ka përcaktuar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kemi ndërmarrë barrën e reformimit të sektorëve jetik, përfshirë këtu edhe reformimin e administratës publike. Faktorët dhe shkaqet që kanë ndikuar në nevojën e një reformimi thelbësor në administratën publike kanë variuar përgjatë viteve. Megjithatë në mënyrë konstante, ata kanë mbërthyer urgjencën që administrata t’i përgjigjet zhvillimit të kohës dhe kontekstit social në vend”, u shpreh Kurti, duke shtuar se meritokracia, transparenca, llogaridhënia dhe mosdiskriminimi mundësojnë administratë publike efikase.

Megjithatë, Kurti ka thënë se raportet vendore dhe ndërkombëtare kanë potencuar të kundërtën.

“Këto raporte kanë potencuar se kemi politizim në proceset e rekrutimit dhe mungesës së meritokracisë. Pastaj që në Kosovë kishim mungesë të profesionalizimit, zhvillimit profesional dhe të trajnimeve kualitative. Se ka mungesë të llogaridhënies e gjithashtu mungesë të matjes adekuate të performancës. Në vitet e shkuara pra raportet vendore e ndërkombëtare i kanë gjetur këto katër konstatime, të cilat ne duhet t’i adresojmë edhe në plotëni edhe me urgjencë”, ka deklaruar Kurti.

Më tutje, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kritikuar procedurën e miratimit të këtij ligji, duke thënë se nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka shqyrtuar të njëjtin.

“Dy miratimet që janë bërë në fund të vitit për sa i takon rishikimet e Ligjit për Pagat dhe Ligji për Shërbyesit Publik, siç kemi thënë më parë nuk pajtohemi me qasjen që ka marrë kuvendi për të miratuar këto ligje në procedurë të shpejtë. Sepse ligje të tilla duhet të ngërthejnë konsultime të dobishme me gjitha palat e interesit. Megjithatë këto konsultime nuk janë bërë në bazë të rregulloreve përkatëse… Ligji i ri për zyrtarët publikë, i cili është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, ky ligj drejtpërdrejt ndërlidhet me parimet e administratës publike moderne. Ne pranojmë që ka një boshllëk në këtë aspekt. BE nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë këtë ligj dhe më vjen keq të them që komentet që ka bërë BE dhe SIGMA, asnjëra nga to nuk është marrë parasysh nga qeveria apo parlamenti. Zyrtarët publikë i vendos ata në një rrezik të korrupsionit dhe ndikimit politikë. Edhe pse ka disa boshllëqe, asnjë rekrutim nuk është bërë që dy vite. Ligji i ri nuk do të krijoj kushte për të rekrutuar njerëz në këto pozita të lira”, ka deklaruar ai.  /Ksp/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Wanda Nara, partnerja e Mauro Icardit dhe për një periudhë…