BE-ja: Talibanët kanë dështuar të krijojnë sistem politik gjithëpërfshirës

14 gusht 2022 | 15:27

Bashkimi Evropian ka akuzuar talibanët se “kanë dështuar të krijojnë një sistem politik gjithëpërfshirës”, në prag të përvjetorit të parë të sundimit të lëvizjes islamike.

“Popullsia, duke përfshirë grupet etnike dhe fetare, në veçanti popullatën Shiite, po përjetojnë abuzim të institucionalizuar dhe sistematik të të drejtave të tyre ekonomike, sociale, kulturore, civile dhe politike. Më konkretisht, ata kanë shkelur dhe abuzuar rëndë të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të cilat mbeten të privuara nga arsimi i mesëm, ndërsa kufizimet e reja në kodet e veshjes dhe lëvizjes i kanë përjashtuar ato nga shumica e aspekteve të jetës ekonomike dhe publike”, ka thënë Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për çështjet e Jashtme.

Në deklaratë është thënë se nuk ka mekanizëm që mbron gratë dhe vajzat dhe se dhuna në familje është rritur. “Mekanizmat për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe martesat e detyruara janë çmontuar dhe dhuna në familje është në rritje”, ka thënë ajo.

Talibanët kanë pushtuar Kabulin më 15 gusht 2021, duke u rikthyer në pushtet në Afganistan gati 20 vjet pasi ata ishin rrëzuar nga pushtimi i ShBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Asnjë vend nuk e ka njohur ende sundimin e talibanëve pasi fillimisht kanë deklaruar se do të ishin më të moderuar se në kohën e tyre të mëparshme, talibanët janë kthyer në një linjë të ashpër, duke shtypur të drejtat e grave, duke lejuar pak kritika dhe duke vendosur kontroll më të madh mbi median.

Vërejtja e BE-së vjen një ditë pasi një protestë e grave në Kabul është shpërndarë me dhunë nga luftëtarët talibanë, të cilët kanë qëlluar me armë në ajër dhe kanë rrahur protestuesit që kishin kërkuar “bukë, punë dhe liri”.

Rreth 40 gra kanë marshuar para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit më 13 gusht përpara se luftëtarët t’i shpërndanin. Fotot dhe videot e protestës të postuara në mediat sociale kanë treguar se forcat talibane kanë sulmuar fizikisht gratë. Disa gra janë ndjekur nga luftëtarët talibanë, të cilët i kanë qëlluar ato me kondakët e pushkëve.

Talibanët gjithashtu kanë arrestuar tre gazetarë të huaj dhe një punëtor afgan për mbulimin e protestës, ndërsa dy gazetarë të tjerë vendas janë plagosur lehtë, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afganistan (AIJA).

Hujatullah Mujadidi, anëtar i lartë i AIJA-s me bazë në Kabul, ka thënë se gazetarët e huaj të arrestuar ishin nga Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia.

Amnesty International ka shprehur shqetësimin për raportimet se talibanët përdorën “forcë të tepruar” për të shpërndarë gratë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar…