BE-ja: Të gjithë ata që vranë Khashoggin të mbahen në përgjegjësi
Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar që të gjithë ata “që me të vërtet janë përgjegjës” për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, duhet të mbahen përgjegjës, ka thënë shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Kolumnisti i gazetës amerikane “Uashington Post”, Jamal Khashoggi, është vrarë pas hyrjes së konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Zyrtarët saudit kanë fajësuar për vrasjen agjentë mashtrues si dhe kanë hedhur poshtë pretendimet se princi, Muhammed bin Salman kishte njohuri për operacionin. Riadi ka paraburgosur 21 persona ndërsa ndaj 5 prej tyre kërkoi dënim me vdekje.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Moggerini, në një konferencë për medie në Ankara, së bashku me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, ka thënë se “BE-ja ka qenë gjithmonë kundër dënimit me vdekje, mirëpo presim që në përputhje me parimet dhe vlerat tona, sistemi gjyqësor të zhvillojë një hetim të plotë, transparent dhe të drejtë”
Ndërkohë, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), beson se princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll, ka raportuar ditë më parë, agjencia e lajmeve “Reuters”.
Burimet për “Reuters” ka shkruar se CIA ka njoftuar qeverinë amerikane duke përfshirë Kongresin, për rezultatin e hetimeve, që bie në kundërshtim me deklaratat e A. Saudite se princi Mohammed nuk ishte i përfshirë.