BE-ja: Thaçi e udhëheq dialogun me Serbinë (Dokument)
Bashkimi Evropian (BE) nëpërmjet një letre të cilën ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka bërë të qartë Qeverisë se në çfarë niveli ka filluar dhe duhet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.
Në letrën të cilën e ka pranuar Haradinaj nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionarja për tregti, Cecilia Malmstrom, si dhe komisionari Johannes Hahn, është thënë se dialogu Kosovë – Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.
“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input në kuadër të qëndrimeve të Kosovës që do të shprehen nga presidenti i saj në dialogun aktual, që përbën për BE-në kornizën e vetme reale për adresimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, është thënë ndër të tjera në letrën e tre zyrtarëve të lartë të BE-së.
Në këtë letër, tre zyrtarët e BE-së kanë kritikuar Haradinajn se me vendimet e njëanshme është duke rrezikuar përparimin që është arritur në këtë dialog.