BE-ja thotë se është në kontakt me Kosovën për tre serbët e arrestuar për krime lufte
Bashkimi Evropian (BE) nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës dhe është në kontakt me to, për të pasur një pasqyrë të plotë rreth arrestimit të disa serbëve në veri të Kosovës, ka thënë të enjten zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.
I pyetur nëse po e vinte në pikëpyetje autoritetin e Kosovës për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe për të ngritur aktakuza gjatë në një konferencë për media në Bruksel, Stano ka thënë: “Kur fola për atë se çfarë po ndodh në veri të Kosovës lidhur me arrestimet nga ana e policisë, nuk thashë se po vëmë në pikëpyetje ndonjë gjë”. “Thashë se jemi në kontakte të ngushta me partnerët tanë dhe me autoritetet relevante për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe si po kryhen këto veprime. Thashë se po i mbledhim informatat e nevojshme në përgjithësi”, ka thën` Stano.
Stano ka theksuar se BE-ja është duke mbledhur informacione rreth këtij rasti dhe se “nëse do të ketë nevojë, BE-ja do të reagojë edhe publikisht”, dhe se “qëndrimi i BE-së për procedimin e krimeve të luftës nuk ka ndryshuar“.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pa dhënë ndonjë hollësi se për çfarë krime lufte akuzohen ata.
Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.