BE-ja u bën thirrje qytetarëve të Shqipërisë që ta ushtrojnë të drejtën e votimit
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nëpërmjet një deklarate për media ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore më 30 qershor.
“Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor është e domosdoshme që qytetarët t’i ushtrojnë të drejtat e tyre dhe ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt”, është theksuar në deklaratë.
Sipas delegacionit të BE-së, të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të mos e penguar procesin e votimit.
“Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese”, është thënë në deklaratën e deklaratën për medie të delegacionit të BE.
Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR grup që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.
“Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria në procesin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian”, është theksuar më tutje në këtë deklaratë.
Zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen më 30 qershor, por opozita i ka bojkotuar këto zgjedhje.
Një ditë më parë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar 13 tetorin si datë të re të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, por me këtë nuk është pajtuar Partia Socialiste e cila drejtohet nga kryeministri Edi Rama i cili insiston se zgjedhjet do të mbahen të dielën.