BE-ja u bënë thirrje familjeve të krijojnë rezerva ushqimore për 72 orë

28 mars 2025 | 08:54

Komisioni publikoi një plan me 30 hapa për t’u përballur me kërcënimet e shtuara, përfshirë agresionin rus.

Bashkimi Europian ka propozuar që familjet të krijojnë rezerva të domosdoshme për të mbijetuar të paktën 72 orë në rast krize, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë dhe peizazhi gjeopolitik gjithnjë e më i pasigurt e kanë shtyrë bllokun të ndërmarrë hapa të rinj për të rritur sigurinë e tij.

Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, pandemia e Covid-19 që nxori në pah mungesën e aftësisë për t’iu përgjigjur krizave dhe qëndrimi armiqësor i administratës Trump ndaj Evropës e kanë detyruar kontinentin të rishqyrtojë dobësitë e tij dhe të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë.

Nisma e re vjen në një kohë kur agjencitë evropiane të inteligjencës paralajmërojnë se Rusia mund të sulmojë një shtet anëtar të BE-së brenda tre deri në pesë vjetëve të ardhshëm. Këtyre rreziqeve u shtohen edhe kërcënime natyrore si përmbytjet dhe zjarret, të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike, si dhe rreziqe shoqërore si krizat financiare.

Evropa po përballet me kërcënime të shtuara, “përfshirë mundësinë e një agresioni të armatosur kundër shteteve anëtare”, paralajmëroi të mërkurën Komisioni Evropian, teksa publikoi një plan me 30 hapa për 27 kryeqytetet e BE-së për të rritur gatishmërinë dhe masat e zbutjes së krizave.

“Realitetet e reja kërkojnë një nivel të ri gatishmërie në Evropë,” tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Qytetarët tanë, shtetet tona anëtare dhe bizneset tona kanë nevojë për mjetet e duhura për të vepruar, si për të parandaluar krizat, ashtu edhe për të reaguar me shpejtësi kur ndodh një fatkeqësi.”

Nisma e Brukselit, e cila përfshin si hapa konkretë që duhen ndërmarrë nga ekzekutivi i BE-së, ashtu edhe sugjerime jolegjislative për kryeqytetet kombëtare, është frymëzuar nga politikat e vjetra të reagimit ndaj krizave në vende si Finlanda, Suedia dhe Belgjika.

Ajo është pjesërisht e krijuar si një thirrje zgjimi për disa kryeqytete që nuk kanë aftësi të mjaftueshme për t’iu përgjigjur krizave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mashtrimin që iu bë kryeministrit Albin Kurti nga dy komedianët…