BE-ja vazhdon ta mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog është shprehur i lumtur që në dy javët e fundit në Kosovë janë miratuar disa ligje që siç ka thënë, janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian.
Ai ka përmendur Ligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, Ligjin e ri për deklarimin e pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale. Në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”, Szunyog ka shkruar se miratimi i këtyre ligjeve është hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Më vjen mirë që gjatë dy javëve të fundit Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa ligje që janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian, përfshirë këtu Ligjin për agjencinë për parandalimin e korrupsionit, Ligjin e ri për deklarimin e pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale. Miratimi i këtyre ligjeve paraqet një hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ato janë gjithashtu pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane II”, ka shkruar ai.
Sipas tij BE-ja do të vazhdojë të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe punën e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit.