BE-ja vendos sanksione ndaj Shërbimit të Inteligjencës së Iranit
Bashkimi Evropian (BE) të martën ka votuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Shërbimit të Inteligjencës së Iranit dhe dy qytetarëve iranian, pas akuzave për komplote të sulmeve në Danimarkë dhe Francë.
Sanksionet janë miratuar në mbledhjen e ministrave të Këshillit të BE-së, ndërkaq vendimi pritet të bëhet publik gjatë ditës së mërkure.
Emrat e dy qytetarëve iranianë nuk janë bërë të ditur, raporton “Rel”.
Vendimi është ndërmarrë pasi ministrat e kanë rishikuar listën e terroristëve, që përfshinë organizata dhe individë, asetet e të cilëve janë bllokuar nga ana e Bashkimit Evropian.
Kjo listë e BE-së, e vendosur pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, përfshinë edhe pesë iranianë.
Diplomatët francez dhe danez, i kanë informuar homologët e tyre evropianë, në dhjetor, për pretendimet e komploteve iraniane ndaj vendeve të tyre.
Franca e ka akuzuar Iranin për komplotin e vendosjes së një makine bombë, në një tubim afër Parisit, të grupit opozitar iranian.
Në tetor, policia daneze e ka akuzuar Teheranin për planifikim e vrasjeve në Danimarkë të pjesëtarëve të grupeve opozitare iraniane në ekzil.