BE-ja zbulon agjendën e takimit të 27 shkurtit në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen më 27 shkurt në Bruksel në kuadër të dialogut, ku do të diskutojnë për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve, të njohur si Plani Evropian.
Siç është bërë me dije në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin.
Këto takime do të fillojnë në orën 15:00. Ndërsa pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.
“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin zyrtar të Brukselit.
Në fund të takimit është bërë me dije se do të ketë deklaratë për media nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiqi.