BE kërkon hapa të mëtejshëm në veri përveç reduktimit të policisë nga objektet
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për reduktimin edhe të 25 për qind të pranisë policore brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri.
Por, sipas tyre, nevojiten hapa të mëtejshëm në kuadër të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së, për RTV Dukagjinin.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka filluar iniciativën ligjore për largimin e kryetarëve të komunave veriore, që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Largimi i kryetarëve po pretendohet të bëhet përmes peticioneve.