Përfundon takimi, BE: Kosova dhe Serbia, të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit këtyre dy vendeve.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e propozimit të BE-së, i titulluar tashmë si “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.
Vuçiq tha se takimi me Kurtin ka qenë “i vështirë”. Ai tha se nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e propozimit të BE-së, por “për krijimin e planit të zbatimit”.
“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.
“Mendoj se është e rëndësishme që deklarata e BE-së të përfshijë domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht, insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Vuçiq.
“Mendoj se zoti Kurti nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë tani. Do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, shtoi ai.
Paraprakisht, Kurti dhe Vuçiq u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.